Gjashtë vjet mbi varrin e të zotit

Posted by deoni | Posted in Kuriozitete | Posted on 14-09-2012

0

Qeni është i njohur si një prej kafshëve më besnike të planetit, por një qen i rrallë mund të thyejë çdo rekord të besnikërisë.

Një pastor gjerman, i quajtur nga pronari i tij i ndjerë “Kapiten”, prej gjashtë vitesh nuk largohet nga varri i ish-pronarit të tij, argjentinasit Miguel Guzman, i cili ndërroi jetë në vitin 2006.

Në të gjithë këtë kohë, Kapiteni 13-vjeçar largohet vetëm për t’u ushqyer dhe pirë ujë, për të qëndruar më pas natë e ditë roje mbi varrin e ndodhur në varrezat publike të qytetit të Vija Pazit.

I ndjeri e bleu qenin si një dhuratë për djalin e tij në vitin 2005, por pas një viti pësoi një infarkt vdekjeprurës.

Pas funeralit, në të cilin Kapiteni ishte i pranishëm, të afërmit panë se si pastori u zhduk prej tyre.

Askush nuk e dinte se ku ndodhej qeni, deri në vizitën në varreza disa javë më pas, ku kafsha u pa duke qëndruar mbi varrin e Guzmanit.

Ndonëse familjarët u përpoqën ta rikthenin në shtëpi, qeni refuzon të bëjë diçka të tillë, duke zgjedhur të qëndrojë përkrah pronarit të tij të pajetë.

Në këto kushte, e vetmja gjë që mund të bëjnë anëtarët e familjes Guzman për qenin e tyre besnik, është ta vizitojnë vazhdimisht për t’i dhënë ushqim, deri në momentin që ai nuk do të bashkohet sërisht me pronarin e tij.

Komentoni këtë kuriozitet